Përshëndetje mik/mikeshë
Ke parë këtë faqe, ose ndoshta ju ka rënë në sy emblema jonë në ndonjë aktivitet motoristësh, dhe ju ka lindur pyetja: Çfarë janë këta?
Ne nuk jemi Motorklub (Motorcycle Club – MC), nuk jemi as Shoqatë Motoristësh, por Shërbesë Ungjillore Motoristësh që i shërbejmë me gjithë zemër Zotit Jezus Krisht. Ndryshe nga grupet tradicionale të motoristëve që përfaqësohen me President dhe Sekretar të Motorklubit, drejtimi i Bashkësisë sonë bëhet nga Plaku (Elder) i grupit (degës) si në organizimet e Kishave. Prandaj natyra e grupit tonë është e një Kishe Motoristësh.
Ne quhemi Bikers for Christ M/M (Motorcycle Ministry) dhe që prej 2013-ës jemi pjesë e shërbesës së “Motoristëve për Krishtin” që është themeluar nga Pastor Fred Z (Zariczny – Lexo këtu dëshminë e tij) në 1990-ën në Kaliforni. Bikers for Christ M/M është një shërbesë “në zjarr, e gjallë me ungjillëzimin, dhe e lumtur, me dashurinë e Jezusit.” Motoristët për Krishtin sot shërbejnë në mbi 20 vende të botës dhe në çdo shtet të SHBA-vë, duke rendur me motor e duke krijuar miqësi me të gjithë motoristët e çdo grupi, me zemrën plotë me dashuri duke dëshmuar se Jezusi është Zot.
Ne mbajmë një emblemë të pasme 2-pjesëshe, pa shiritin e poshtëm që shënon territorin ku ndodhemi, pasi qëllimi ynë është t’i shërbejmë me Ungjillin (Lajmin e Mirë) motoristëve, duke ruajtur asnjëanësinë mes grupeve të ndryshme. Prandaj emblema jonë (lexo më shumë këtu) është shumëngjyrëshe në mënyrë që mos t’i përngjajë ngjyrave të ndonjë nga Motorklubet që identifikohen me ngjyra të caktuara.
Zoti të bekoftë fortë. Ndërsa lexon këtë përshkrim, ndoshta nuk je rastësisht në këtë faqe. Nëse je një motorist që kërkon një “liri” më shumë sesa vetëm motori, atëherë je në faqen e duhur. Ne mund t’ju flasim për dikë (kliko) që na ka dhënë “liri të vërtetë dhe të pafund.” Nëse je një i/e krishterë dhe ke dëshirë të kontribuosh në këtë shërbesë, ne jemi gjithmonë të interesuar të sjellim burra dhe gra me integritet të krishterë në radhët tona, të cilët dëshirojnë ta kthejnë botën për Lavdinë e Zotit! Motoja jonë është:
“Disa dëshirojnë të jetojnë nën tingullin e muzikës dhe kambanave të kishës, ne duam të shërbejmë një stendë ungjillëzimi pranë oborrit të ferrit”.
Ne mirëpresim çdo pyetje që mund të kesh. Të lutem mos hezito të na kontaktosh.
Me respekt
Drini Nosi